Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk është vonuar në trajtimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, marrë për bazë numrin e rasteve që i trajton ky institucion.
Miftaraj ka thënë se marrë parasysh që Gjykata Kushtetuese pranon lëndë nga institucionet ligjvënëse, të njëjtat i pranon edhe nga qytetarët.
Duke marrë për bazë rëndësinë e këtij Ligji, Miftaraj thotë se Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar të njëjtin brenda afatit kohor.
“Ne si IKD nuk e kuptojmë përse ministrja e Drejtësisë mendon se Gjykata Kushtetuese është vonuar nëntë muaj në trajtimin e kërkesës për ligjmërinë e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Është e vërtetë që i ka marrë nëntë muaj dhe sigurisht që për Gjykatën Kushtetuese mund të thuhet që ky rast është trajtuar me ‘shpejtësinë e erës’ nëse marrim për bazë rastet tjera që i ka. Ne duhet të dimë që Gjykata Kushtetuese është mbingarkuar me lëndë, dhe përveç lëndëve që vijnë nga palët e autorizuara në nivel të institucioneve siç janë; Kuvendi, Qeveria apo Avokati i Popullit, do të thotë ka me mijëra lëndë që vijnë nga qytetarët e Kosovës. Me vetë faktin se po flasim për një reformë në sistemin prokurorial, mund të themi me shumë kompetencë se Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar këtë lëndë brenda një afati të arsyeshëm kohor”, u shpreh ai.
Miftaraj ka dhënë edhe arsyetimet se përse Kushtetuesja e ka rrëzuar Ligjin për KPK-në. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka dështuar të dërgojë komente të qëndrueshme sa i përket këtij Ligji.
“Është e vërtetë që kur është trajtuar Ligji është trajtuar me shoqërinë civile, është hartuar me bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Është e vërtetë që në disa pika, ku hyn edhe pika bazë që është anuluar Ligji, kemi pasur disa mospajtime të vogla por që pastaj ato kanë mundur që ato të argumentohen nga Ministria e Drejtësisë në dërgimin të përgjigjes sipas kërkesës së Kushtetueses. Duhet ta kemi të qartë se pjesa kryesore për çka është rrëzuar Ligji është ndërprerja e mandatit të anëtarëve të KPK-së”, ka thënë Miftaraj, teksa ka cituar edhe opinionin e Komisionit të Venecias.
“Komisioni i Venecias me këtë rast në opinionin e tij kishte bërë të qartë se Komisioni i Venecias në parim asnjëherë nuk pajtohet me ndërprerjen e mandatit të institucioneve të pavarura me theks të veçantë KGjK-së dhe KPK-së në vendet e ndryshme, por që në rastin e Kosovës kishte bërë përjashtim për arsye që ne i dimë, e ato fatkeqësisht se Këshilli Prokurorial i Kosovës në 7-8 vitet e fundit nuk po është në gjendje që t’i ushtrojë kompetencat me përgjegjësi të pavarur dhe të drejtë”, ka thënë ai.