Microsoft do të lançojë një version personal të Microsoft Teams nga dita e sotme. Pasi paralajmëroi një shërbim të tillë një vit më parë, Microsoft Teams tashmë është i disponueshëm falas për tu përdorur mes miqsh dhe familjes.
Është identik me shërbimin Microsoft Teams që bizneset përdorin dhe përdoruesit mund të bisedojnë, komunikojnë me video, të ndajnë kalendaret, vendndodhjen e madje dokumente mes tyre.
Microsoft gjithashtu do të ofrojë për të gjithë thirrje video që zgjasin 24 orë pa ndërprerje. Pjesë e këtyre video thirrjeve mund të bëhen deri në 300 persona.
Këto limite do të aplikohen për një kohë të shkurtër sepse pasi pandemia të ketë kaluar thirrjet do të kufizohen në 60 minuta dhe deri në 100 persona.
Shërbimi i ri është i disponueshëm në iOS, Android, Ueb dhe Desktop. Por çfarë do të ndodhë me Skype? A do të zëvendësojë Microsoft Teams një prej shërbimeve më popullor të video komunikimit?
Microsoft ende nuk ka lënë të kuptohet asnjë ndryshim por rritja e Zoom tregoi sesa i padobishëm ishte Skype gjatë pandemisë. Aplikacionin e ri Teams mund ta shkarkoni në këto lidhje: Android, iOS, Desktop.