Microsoft ka përditësuar aplikacionin Xbox për Windows, duke prezantuar një bibliotekë të përbashkët ku shfaqen të gjitha lojërat e instaluara në kompjuter, pavarësisht nëse vijnë nga Steam, Battle.net apo dyqane të tjera për PC.
Kjo e kthen aplikacionin Xbox në një lëshues qendror për lojërat tuaja.
Funksioni është testuar prej muajsh me Xbox Insider-at, por tani është i disponueshëm për të gjithë përdoruesit. Ai është menduar për përvojën e re në ekran të plotë të Xbox-it, veçanërisht në pajisjet portative si Asus ROG Ally, por përfaqëson hapin e radhës në përpjekjet e Microsoft për ta kthyer aplikacionin Xbox në “shtëpinë e lojërave për PC”.
“Kur instaloni një lojë nga një dyqan i mbështetur, shfaqet automatikisht në seksionin My Library brenda aplikacionit Xbox, dhe në listën Most Recent, që të mund t’i riktheheni menjëherë lojërave tuaja të preferuara,” tha Jason Beaumont, nënkryetar për përvojën në Xbox.
Përveç bibliotekës, aplikacioni merr edhe seksionin e ri My Apps, ku lojtarët mund të instalojnë e hapin aplikacione të palëve të treta si shfletues, mjete ndihmëse për lojëra apo dyqane konkurrente. Edhe kjo veçori është menduar për pajisjet dore, duke u dhënë përdoruesve mundësinë të menaxhojnë dhe nisin lojëra nga platforma të ndryshme.
Më vonë, Microsoft do të shtojë në aplikacion edhe lojërat e disponueshme në cloud dhe historikun e lojërave, i cili sinkronizohet në konzolë, kompjuter dhe pajisje portative. Ky funksion tashmë ka nisur të shpërndahet në konzolat Xbox muajin e kaluar.
“Pasi veçoria të jetë e aktivizuar, kërkoni seksionin Jump back in në faqen kryesore të konzolës, kompjuterit ose pajisjes suaj dore, për të parë lojërat e fundit të luajtura dhe për të vazhduar aty ku e keni lënë,” shtoi Beaumont. /A.Z/UBT News/