Microsoft ka njoftuar se do të ndalojë së sugjeruari përdoruesve të Windows në Evropë që të kalojnë në shfletuesin Edge, si pjesë e përputhshmërisë me Aktin e Tregjeve Digjitale të Bashkimit Evropian.
Këto ndryshime do të zbatohen për përdoruesit në Zonën Ekonomike Evropiane, që përfshin BE-në, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë.
Përdoruesit kanë mundësinë të çinstalojnë Microsoft Edge dhe Microsoft Store, dhe të shmangin njoftimet që i nxisin të vendosin Edge si shfletuesin e parazgjedhur, përveç nëse ata vetë zgjedhin ta hapin atë.
Kur përdoruesit zgjedhin shfletues si Chrome, Firefox ose Brave si të parazgjedhur, do të vendoset automatikisht në shiritin e detyrave (taskbar), përveç nëse përdoruesi vendos ndryshe. Ky shfletues i ri do të lidhet me më shumë lloje skedarësh dhe lidhjesh, duke përfshirë “read”, ftp dhe .svg, përveç https dhe .html.
Microsoft ka bërë të ditur se edhe pas çinstalimit të aplikacionit Store nga Start dhe Settings, aplikacionet e instaluara dhe të shpërndara nga kjo platformë do të vazhdojnë të marrin përditësime, dhe Store mund të riinstalohet në çdo kohë.
Ndryshime të tjera përfshijnë mundësinë për aplikacione të palëve të treta që të shtojnë rezultatet e kërkimit në Windows Search pas instalimit, si dhe opsionin për të ndryshuar ofruesin e kërkimit sipas preferencave të përdoruesit.
Këto përditësime do të fillojnë të shpërndahen në fillim të qershorit dhe pritet të jenë të disponueshme në Windows 10 dhe Windows 11 në korrik.