Legjenda e muzikës rock, Mick Jagger, ka folur për ndikimin që fama shumëvjeçare ka pasur në jetën e tij, duke pranuar se suksesi mund ta largojë një person nga përditshmëria e zakonshme.
Në një intervistë për “The New York Times”, frontmeni i grupit Rolling Stones, 82-vjeçar, tha se njerëzit e famshëm shpesh rrethohen nga persona të së njëjtës botë, gjë që mund t’i shkëpusë nga realiteti dhe përvojat e njerëzve të tjerë.
Deklarata e tij erdhi pas një pyetjeje lidhur me komentet e humoristit John Mulaney, i cili në vitin 2019 kishte thënë se Jagger nuk ishte treguar “i sjellshëm” gjatë një bashkëpunimi në “Saturday Night Live”. Jagger u shpreh se nuk e kishte parë atë performancë, por pranoi se fama mund të ndikojë në sjelljen dhe mënyrën e komunikimit me të tjerët.
Megjithatë, këngëtari tha se përpiqet me vetëdije ta shmangë këtë distancim, duke bërë gjëra të zakonshme si ecja në rrugë apo blerja e gazetave, edhe pse pranon se fama lë pasoja të përhershme në aspektin psikologjik.
Jagger theksoi se personazhi i tij në skenë është një version më i ekzagjeruar i vetes, ndërsa jashtë skenës përpiqet të jetojë sa më normalisht.
Sipas tij, shumë artistë përballen me vështirësi në ndarjen mes jetës private dhe asaj publike, por me kalimin e dekadave ai ka mësuar ta menaxhojë këtë dualitet dhe të ruajë lidhjen me jetën e zakonshme përtej famës./A.K/
