Imagjinoni një botë digjitale, ku mund të bëni një jetë paralele pa lënë shtëpinë tuaj: mirë se vini në “metavers”, i konsideruar si “Graali i Shenjtë” nga Facebook dhe gjigantët e tjerë të rrjetit dhe videolojërave, që e shohin atë si hapin tjetër të madh në evolucionin e internetit.
Metaversi premton të shtyjë kufijtë e botës fizike derisa universi real dhe ai virtual të bashkohen përfundimisht.
“Ai do të jetë një pjesë shumë e madhe e kapitullit tjetër në industrinë e teknologjisë”, tha kreu i FB, Mark Zuckerberg.
“Metaversi është pasardhësi i internetit celular”, shtoi ai.
Koncepti i metaversit, i zhvilluar në 1992 nga Neal Stephenson në romanin fantashkencë “Samurai Virtual”, libër kult për sipërmarrësit në Silicon Valley, është bërë muajt e fundit një nga fjalët më të njohura në botën e teknologjisë dhe videolojërave, madje deri në atë pikë, saqë kompanitë më të mëdha në sektor po investojnë miliona dollarë në zhvillimin e tij./