Meta Platforms ka njoftuar zgjerimin e qasjes së inteligjencës artificiale, Meta AI, përmes syzeve inteligjente Ray-Ban në shtatë vende të reja evropiane, si Gjermania, Austria, Belgjika, Danimarka, Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, raportoi të mërkurën Reuters.
Përdoruesit në këto shtete tani mund të komunikojnë me Meta AI përmes komandave zanore, për të marrë përgjigje për pyetje të përgjithshme.
Kjo shënon hap të rëndësishëm në përhapjen e teknologjive të avancuara të inteligjencës artificiale në pajisjet e tilla në tregun evropian.
Meta pati prezantuar për herë të parë Meta AI në SHBA gjatë vitit 2023. Ndërsa, lansimi në Evropë u shty për disa muaj për shkak të shqetësimeve rregullatore në lidhje me mbrojtjen e të dhënave dhe rregulloret e privatësisë të Bashkimit Evropian.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Meta po investon miliarda dollarë në infrastrukturën e saj të inteligjencës artificiale, me synimin për të forcuar pozitat në tregun global të teknologjisë së avancuar dhe për të tërhequr përdorues të rinj në platformat e saj.