Mashtruesit po vjedhin kredencialet e përdoruesve në llogarinë e mediave sociale duke zhvilluar aplikacione të cilat më pas dalin në dyqanet e aplikacioneve dhe shkarkohen pa dashur nga viktimat, thotë kompania mëmë e Facebook, Meta.
Gjiganti i teknologjisë tha se studiuesit kanë identifikuar mbi 400 aplikacione “të dëmshme” për Android dhe iOS, të cilat janë të disponueshme në dyqanet zyrtare të aplikacioneve Apple dhe Google.
Të tilla aplikacione po promovohen si lojëra apo si aplikacione për editim të fotografive, të cilat posa të shkarkohen, u kërkojnë përdoruesve të vendosin kredencialet e tyre në Facebook, në mënyrë që të identifikohen dhe të përdorin aplikacionin. Nëse ju i ofroni ato kredenciale, Meta thotë se ato iu vjedhen, duke ua mundësuar mashtruesve që të kenë qasje në llogaritë e përdoruesve dhe duke ua vjedhur informacionet.
“Ne i kemi raportuar këto aplikacione keqdashëse te kolegët tanë në Apple dhe Google dhe ato janë hequr nga të dy dyqanet e aplikacioneve para publikimit të këtij raporti”, tha Meta në një deklaratë në faqen e saj të internetit./UBTNews/