Meta po sjell inteligjencën artificiale në 41 vende të Evropës, përfshirë edhe vendet e BE-së, duke filluar nga kjo javë.
Gjithashtu kjo do të jetë e disponueshme edhe për 21 territore evropiane, raporton Engadget.
Në njoftim, “Meta” është shprehur se i është dashur më shumë kohë për të sjellë këtë teknologji për përdoruesit europianë pasi po “lundron në sistemin e ndërlikuar rregullator”.
Kompania planifikonte që “Meta AI” të prezantohej në Evropë vitin e shkuar, planet u pezulluan pasi Komisioni irlandez i mbrojtjes së të dhënave i kërkoi të vononte trajnimin e modeleve të gjuhës në përmbajtjet e shpërndara në rrjet, nga përdoruesit evropianë.
Një muaj pas kësaj, “Meta” tha “si rrjedhojë e natyrës së paparashikueshme të mjedisit rregullator evropian”, nuk do të prezantonte Llama-n, modelin e tij, në këtë rajon.
Meta AI do të shpërndahet në Evropë duke integruar teknologjinë në aplikacionet Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger, ku së shpejti do të shfaqet një rreth blu.
Do të jetë i disponueshëm në 6 gjuhë dhe për momentin do të ketë aftësi të kufizuara që lidhen kryesisht me mesazhet, por kompania thotë se shpreson që ta zgjerojë ofertën derisa të jetë “e barabartë me SHBA-në”.