UBT News

Meta: Open Balkan, një nismë imponuese dhe e paqartë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka deklaruar nga Shkupi se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të pranueshme nga të gjithë, e cila garanton që këto dy shtete të bëhen sa më parë anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai këto komente i bëri gjatë një ligjërate me temë “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Kreu i shtetit shqiptar tha se nuk beson që zgjidhja për çdo çështje në raportet mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë më pak serbë në Kosovë apo më pak shqiptarë në Serbi.

“Thelbi është që këto dy vende duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian dhe nëse duhet t’i bashkohen, duhet të ecin në rrugën e parimeve dhe vlerave evropiane, por jo të vendosin në diskutim parimet dhe vlerat, sikurse ka qenë ideja e papranueshme për ndryshimin e kufijve”, u shpreh ai.

Lidhur me iniciativën e “Open Balkan”, presidenti Meta tha se është një nismë imponuese dhe e paqartë, që më shumë se rezultate deri më tani ka prodhuar vetëm debate dhe pasi ka ndërruar tre herë emrin, i vetmi element pozitiv që ka është përcaktimi “i hapur”.

“Mjafton të përmendim një fakt, ndalimin nga Serbia të sportistëve nga Kosova, pa përmendur elementë të tjerë që i ndeshim çdo ditë dhe që nuk ndihmojnë në rritjen e mirëbesimit dhe konsolidimit të bashkëpunimit rajonal. Nuk mund ta fsheh shqetësimin tim për pozitën e Kosovës dhe tendencën e “Open Balkan” për ta margjinalizuar atë”, ka thënë Meta.

Sipas tij, Evropa duhet të ketë qasje më serioze për Ballkanin Perëndimor  dhe duhet t’u qëndrojë premtimeve.

“Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë”, ka thënë Meta.

Exit mobile version