Gjiganti amerikan i teknologjisë Meta është përballur me një gjobë prej 91 milionë eurosh nga autoriteti irlandez i mbrojtjes së të dhënave për dështimin në mbrojtjen e fjalëkalimeve të përdoruesve.
Hetimi nisi në prill të vitit 2019, pasi Meta njoftoi autoritetin irlandez se ka ruajtur pa dashje disa fjalëkalime të përdoruesve të mediave sociale në ‘plaintext’ – që do të thotë pa enkriptim – në sistemet e saj të brendshme.
Rregullorja e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), kërkon që kompanitë të zbatojnë masat e duhura të sigurisë kur përpunojnë të dhënat personale.
“Është e pranuar gjerësisht që fjalëkalimet e përdoruesve nuk duhet të ruhen në tekst të thjeshtë, duke marrë parasysh rreziqet e abuzimit që lindin nga personat që aksesojnë të dhëna të tilla. Duhet të kihet parasysh se fjalëkalimet që janë objekt i shqyrtimit në këtë rast, janë veçanërisht të ndjeshëm, pasi ato do të mundësonin aksesin në llogaritë e mediave sociale të përdoruesve”, thuhet në një deklaratë Zëvendës Komisioneri në DPC irlandeze, Graham Doyle.
Rregullatori irlandez dorëzoi një projektvendim tek autoritetet e tjera mbikëqyrëse kombëtare të BE-së në qershor 2024, siç kërkohet nga rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave./UBTNews/