Projekti i monedhës dixhitale të mbështetur nga Facebook, Diem, njoftoi të hënën mbylljen dhe shitjen prej 182 milionë dollarësh të teknologjisë së tij, duke mbyllur një iniciativë shumëvjeçare që tërhoqi shqetësim të madh nga rregullatorët, përcjell UBT News.
Njoftimi i planeve të Facebook në vitin 2019 për të hartuar një kriptomonedhë dhe një sistem pagese u prit me shqetësim nga zyrtarët e financave globale, të cilët shprehën një breshëri kritikash për sigurinë dhe besueshmërinë e një rrjeti privat.
Shefi ekzekutiv i Diem Networks për SHBA-në, Stuart Levey, tha në një deklaratë se nisma kishte bërë përparim, por “gjithsesi u bë e qartë nga dialogu ynë me rregullatorët federalë se projekti nuk mund të ecë përpara”.
“Gjatë javëve në vijim, Diem Association dhe filialet e saj presin të fillojnë procesin e mbylljes”, u tha në deklaratë.
Facebook apo sipas emrit të ri Meta, është përballur me kritika për pozicionin dominues që mban në internet, megjithatë kjo nuk është e vetmja organizatë e fuqishme e cila është e interesuar në kriptovaluta./UBTNews/