Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq dhe ish-presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi.
Kryeministri Kurti i falënderoi dy ish-presidentët për vizitën dhe për angazhimin e përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.
“Duke folur për qeverisjen rreth njëvjeçare, kryeministri Kurti tha se prijmë në rajon për menaxhimin e mirë të pandemisë, me vaksinimin e tashmë dy të tretës së popullatës së rritur”, thuhet në njoftimin nga zyra e kryeministrit.
Kurti i njoftoi edhe për “rezultatet e shënuara në ekonomi: rritjen ekonomike prej 9.9 për qind, rritjen e të hyrave doganore për mbi një të tretën, krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa eksportet janë rritur me 66 për qind, të hyrat buxhetore janë rritur për 30 për qind, e investimet e huaja për 53 për qind”.
Ish-presidenti Topi theksoi nevojën për më shumë bashkëpunim rajonal dhe koordinim më të mirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, sidomos me institucionet e Bashkimit Evropian, përfshirë këtu çështjen e liberalizimit të vizave, ndërsa ish-presidenti kroat, Mesiq, tha se duhet angazhim i shtuar në rrafshin ndërkombëtar, sepse siç tha ai, Serbia po vazhdon fushatat lobuese për çnjohjen e Kosovës.
Lidhur me dialogun me Serbinë, Kryeministri Kurti tha se është proces që duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.