Punëtorët e arsimit të Komunës së Vitisë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, pasi kjo e fundit nuk ua ekzekutoi pagat e muajit shtator.
“Duam pagat tona”, “Edhe Vitia është n’Kosovë”, ishin disa nga mbishkrimet në pankartat e mësimdhënësve nga Vitia.
I pari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari tha se java e ardhshme mund ta gjejë në grevë në arsim sistemin e arsimit në Viti, nëse nuk ekzekutohen pagat gjatë së premtes.
“I lutem që të presin pak. Janë shumë të revoltuar dhe java e ardhshme mund ta gjeje Vitinë në grevë. Veprime sindikale mund të ketë edhe në komuna tjera. Punëtoret e arsimit e kanë zërin e tyre qe i mbron. I kam dërguar ministrit Muratit letër, le ti zgjedhin çështjet institucionet, t’i procedojnë pagat”, ka thënë Jashari.
“Është mëkat se do të përballen edhe me kamata shtesë, i lus bankat që mos të veprojnë tani dhe mos t’i ndëshkojnë sepse qeverisja i ndëshkojë. Kam frike se do preken edhe komunat tjera”, shtoi ai.
Kemajl Bislimi, kryetari i BSPK në Viti, është shprehur i shqetësuar lidhur me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit e Vitisë.
“Edhe njëherë ne emër te BSPK kërkoje nga partneri social të bëjë ekzekutimin e pagave. Nuk janë ekzekutuar pagat, në komunë na kanë thënë që faji është te Qeveria. Mësimdhënësit do të presin deri të hënën, do marrim masa tjera. Shqetësimet janë të mëdha. Pjesa e tyre dërmuese me obligime financiare, pastaj janë edhe një moshë e shtyrë”, tha ai.
Të martën, Ministria e Financave ka thënë se nuk janë ekzekutuar pagat e për programet e arsimit fillor dhe të mesëm, pasi komuna e Vitisë nuk e ka siguruar buxhetin e nevojshëm.