UBT News

Meshë për Shën Nënë Terezë, Gashi: Nobelistja, dhurata më e vyer që kombi ynë ia fali njerëzimit

Në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha solemne e festës së Shën Terezës, humanistes dhe nobelistes shqiptare.

Në meshën e udhëhequr nga imzot Zef Gashi, u tha se jeta dhe vepra e Nënës Terezë ishte dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria.

Zef Gashi u shpreh se Nënë Terezë është dhurata më e vyer që kombi ynë shqiptar ia fali njerëzimit.

“Sot me rastin e 6-vjetorit të shpalljes së Nënë Terezës shenjtëreshë, me rastin e 25-vjetorit të kalimit të saj në amshim, dhe me rastin e 5-vjetorit të shugurimit të kësaj katedraleje, më lejoni të ju përkujtoj se e gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës ishte dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria. Nga dashuria e madhështisë dhe dinjitetit të çdo njeriut, e vlerës, e gjërave të vogla të bëra më besnikëri dhe dashuri sidomos e vlerës së pakrahasueshme e miqësisë me Zotin”, theksoi Gashi.

Gashi theksoi se Nënë Tereza ishte dhuratë e Zotit për të varfëritë ndër më të varfër.

“Për ne shqiptarët, sot në kuadër të këtyre tri datave të rëndësishme shkëlqen me rrezatimet ngrohtësie e admirimi. Nënë Terezë, përmes saj Zoti u ka folur zemrave të të gjithë njerëzve për dashurinë e tij të thellë të gjithë njerëzve të botës. Dashuria e pakufishme për të varfëritë e botës në fytyrat e të cilëve e shikonte Nënë Terezën edhe kujtesën universale të histerisë së njerëzimit. Nënë Tereza ishte dhuratë e Zotit për të varfëritë ndër më të varfër… Nënë Tereza është dhurata më e vyer që kombi ynë shqiptarë ia fali njerëzimit”, theksoi ai.

Në shënimin e ditëve të Nënë Terezës, këto ditë janë organizuar një sërë aktivitetesh.

Exit mobile version