UBT News

Mes kaosit të luftës, kërkohen të zhdukurit në Sudan

Ndërsa luftimet u ndezën në kryeqytetin e Sudanit, Ayman Abu Arki dhe xhaxhai i tij Hossam dolën “për të blerë pak ujë”, por që atëherë ata nuk iu përgjigjën telefonatave të familjeve të tyre.

Familja e tyre në panik, e dëshpëruar për lajme, vazhdoi të telefononte numrat e tyre, por më pas iu drejtua mediave sociale, siç kanë bërë shumë të tjerë për të kërkuar të zhdukurit mes kaosit të përgjakshëm.

Përgjigje më në fund u kthye nga një përdorues i Facebook: një foto tregonte dy trupa të pajetë brenda një makine të mbushur me plumba, targa që përputhej me atë të automjetit të familjes.

Dy burrat vdiqën në ditën e dytë të betejave që kanë tronditur Khartoum që nga 15 prilli, dhe të cilat që atëherë kanë marrë qindra jetë.

Trazirat kanë vënë përballë ushtrinë, të udhëhequr nga Abdel Fattah al-Burhan, kundër paraushtarakëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, të komanduara nga zëvendësi i tij i kthyer në rival, Mohamed Hamdan Daglo.

Luftimet zunë në befasi pesë milionë banorët e kryeqytetit dhe shumë prej tyre ishin të papërgatitur për të mbijetuar për javë të tëra me stoqet e ushqimeve dhe mallrave të tjera bazë që kishin në shtëpi.

Disa nga ata që dolën për të blerë ujë dhe ushqim nuk u kthyen më, dhe të afërmit kanë frikë nga më e keqja pasi trupat shtrihen në rrugë, ndërsa përleshjet me armë dhe sulmet ajrore vazhdojnë.

“Ai nuk u kthye kurrë”
Heba, mjeke, është gjithashtu në mesin e atyre që i janë drejtuar platformave online si Facebook dhe Twitter, për të kërkuar lajme për babain e saj, i cili është zhdukur që prej 23 prillit.

Ai u largua atë ditë për të blerë ilaçe jetike “por nuk u kthye më”, tha Heba.

“Unë vetëm shpresoj se ai është i sigurt dhe i shëndetshëm”.

Për të ndihmuar ata që kërkojnë dëshpërimisht për të afërmit dhe miqtë e zhdukur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq njoftoi se kishte krijuar një linjë të posaçme telefonike për të raportuar zhdukjet.

Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 500 njerëz janë vrarë që nga fillimi i konfliktit dhe mbi 4,500 janë plagosur, ndonëse numri real dyshohet të jetë shumë më i lartë./UBTNews/

Exit mobile version