Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Raportin me amendamente të Projektligjit për rishikimin e buxhetit.
Projektligji u vlerësua nga deputetët e partive në pushtet, derisa u kritikua nga ata të opozitës, të cilët edhe thanë se pushteti po sillet në mënyrë arrogante duke anashkaluar gjitha kërkesat e tyre.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se pushteti duhet ta ndërrojë qasjen, pasi sipas tij është për keqardhje mungesa e bashkëpunimit edhe për çështje të rëndësishme për vendin.
“Shpresoj që të ndërrohet kjo frymë e bashkëpunimit, por shpreh keqardhje për mënyrën si i keni kaluar amendamentet. Deputeti Hamza që ka qenë gjithashtu ministër i Financave ka dhënë plotë komente, jo amendamente që kanë implikime buxhetore, por komente se si mund të përmirësohet disa prej amendamenteve që buxheti të bëhet më funksional. Gjithashtu dy-tri propozime i kam dhënë për të përmirësuar disa amendamente të cilat ju si kryetar veç i keni qitë në votim duke i mbivotuar. Nuk është kjo mënyra e duhur dhe duhet të ndërrohet kjo qasje”, tha Hoti.
Por një gjë të tillë e mohoi deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, cili tha se është pikërisht opozita që nuk po reflekton për të bashkëpunuar.
Sipas tij, nëse deri më tani është mësuar të bëhen “pazare” në hartimin dhe rishikimin e buxhetit, tashmë gjëra të tilla s’do të ndodhin.
“Kjo mbledhje edhe mbledhja e kaluara kanë qenë një mundësi e bashkëpunimit dhe reflektimit të opozitës për të bashkëpunuar në projekte të cilat janë në interes të qytetarit. Për shkak se ju keni qenë dëshmitarë se në mbledhjen e kaluar të komisionit janë refuzuar kërkesa të ministrive që kanë ardhur. Natyrisht që refuzohen kërkesat nga komunat, pasi kërkesat e tyre nuk kanë bazë për t’u shqyrtuar. Nëse deri tash ishte praktikë ku edhe në rishikime bëhen pazare me subjekte e deputetë, mendoj se tash ka kaluar kjo kohë. Tash do të punohet ku është interesi i qytetarëve”, tha Rrahmani.
Megjithatë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se pushteti ka bërë “pazar” me rishikimin e buxhetit, pasi i vetmi amendament nga opozita që ka kaluar ka qenë i deputetes, Albena Reshitaj. Ajo në zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani, ishte ndër të vetmet nga opozita që dha votën pro. Kjo u përmend në komision.
“Është bërë e padrejtë ndaj kërkesave të kryetarëve të komunave që kanë qenë projekte tre vjeçare. Pothuajse 80 për qind këtyre projekteve janë ndaluar për shkak të buxhetit. Të kemi bashkëpunim ndërmjet vete. Ajo që ka votuar për presidenten, kërkesa e saj është aprovuar në këtë komision. Albena Reshitajt i është aprovuar në këtë komision, këtu çka po i vjen era. Mendoj se ne nuk kemi bërë pazare me askënd. I vetmi amendament që ka kaluar është i Albena Reshitajt. Kjo është e padrejtë”, u shpreh Lekaj.
Këtë e mohoi kryetari i Komisionit nga radhët e LVV-së, Armend Muja, i cili tha se “pazari” i vetëm ka qenë minimizimi i borxhit publik.
“Ne nuk kemi bërë asnjë pazar të mundshëm. I vetmi ka qenë kushtimisht të thuhet, minimizimi i borxhit publik”, tha Muja.
Kritika ndaj këtij projektligji adresoi edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili tha se nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve. \ksp