Kancelari gjerman Friedrich Merz ka njoftuar një riorganizim të madh të kabinetit qeveritar, përpara një serie zgjedhjesh të rëndësishme rajonale në Gjermani.
Ky veprim vjen në një kohë kur qeveria e tij po përballet me rënie të mbështetjes në sondazhe dhe rritje të përkrahjes për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve në Berlin, Saksoni-Anhalt dhe Mecklenburg-Vorpommern.
Sipas ndryshimeve të paralajmëruara, Carsten Linnemann do të marrë detyrën e ministrit të Shëndetësisë, duke zëvendësuar Nina Warken, e cila do të emërohet shefe e Kancelarisë në vend të Thorsten Frei.
Ndërkohë, Frei ishte emëruar si kreu i ardhshëm i grupit parlamentar të Unionit pas dorëheqjes së Jens Spahn, i cili u përfshi në polemika pasi ai dhe bashkëshorti i tij u bënë prindër përmes një nëne zëvendësuese në Shtetet e Bashkuara, praktikë që është e ndaluar në Gjermani.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, ministri i Transportit, Patrick Schnieder, pritet gjithashtu të largohet nga detyra, ndërsa deputeti Fritz Güntzler po konsiderohet si pasardhësi i tij.
Merz pritet të paraqesë detaje të tjera mbi riorganizimin e kabinetit gjatë ditës së nesërme, ndërsa nuk përjashtohen edhe ndryshime të tjera në përbërjen e qeverisë./A.K/
