Udhëheqësi konservator gjerman, Friedrich Merz, i cili do të pasojë Olaf Scholz njoftoi dje në mbrëmje se së shpejti do të udhëtojë në Uashington për të takuar presidentin amerikan, Donald Trump.
“Do të takohemi së shpejti”, tha Merz për transmetuesin publik ARD – duke shtuar se nuk ishte caktuar një datë specifike për vizitën.
Merz theksoi se konsultimet brenda BE-së do të ishin të nevojshme përpara këtij udhëtimi, veçanërisht për çështje të tilla si tarifat e fundit të presidentit Trump.
Gjatë udhëtimit të tij në Uashington, Merz tha se ai synon të përfaqësojë të gjitha shtetet evropiane, dhe jo vetëm Gjermaninë.
“Për mua, prioritet është Evropa”, shtoi ai.
Në një intervistë për ZDF, Merz vuri në dukje se vendimi i Trump për të pezulluar tarifat – e vendosura së fundmi – për 90 ditë ishte një përgjigje ndaj qëndrimit të bashkuar të Evropës.
Ai tha se Evropa është e gatshme për të negociuar – por njëkohësisht dhe e vendosur për të mbrojtur interesat e saj në konfliktin tregtar ndërkombëtar.
Blloku konservator i Merz – i përbërë nga Kristiandemokratët (CDU) dhe Unioni Kristian-social (CSU) – do të udhëheqë qeverinë pasi dje ra dakord për një koalicion me Partinë Socialdemokrate (SPD) të qendrës së majtë./ATSH/