UBT News

Merz: Mali i Zi duhet të anëtarësohet në BE deri në fund të dekadës

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të kësaj dekade, duke vlerësuar se vendi ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret për anëtarësim.

Gjatë një vizite në Dublin, Merz tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të mbetet i besueshëm dhe se vendet që i plotësojnë kushtet nuk duhet të pengohen nga zhvillimet në shtetet e tjera kandidate.

Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e reformave dhe mbetet vendi më i avancuar i Ballkanit Perëndimor në negociatat për anëtarësim.

“Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të dekadës. Vendi është gati për anëtarësim dhe ka përmbushur në masë të madhe të gjitha kërkesat”, deklaroi Merz.

Kancelari gjerman rikujtoi se Kroacia ishte shteti i fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013 dhe theksoi se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet ndaj vendeve që përmbushin Kriteret e Kopenhagës.

Sipas tij, deklarata përbën një sinjal të fortë mbështetjeje për integrimin evropian të Malit të Zi, i cili synon të përfundojë negociatat dhe të anëtarësohet në BE para fundit të dekadës./A.K/

Exit mobile version