Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë thirrje për një marrëveshje të shpejtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shmangur tarifat ndaj mallrave të BE-së – më pak se një javë përpara përfundimit të afatit të caktuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
“Aktualisht, nuk bëhet fjalë për një marrëveshje tregtare gjithëpërfshirëse dhe të hartuar me hollësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila është negociuar në çdo detaj”, tha Merz në një konferencë bankare në Berlin.
“Por, bëhet fjalë për zgjidhjen e shpejtë të një mosmarrëveshjeje doganore”, theksoi ai.
Merz theksoi rëndësinë e sektorëve kryesorë industrialë të Gjermanisë, duke përfshirë kimikatet, prodhimin e automjeteve, farmaceutikën, inxhinierinë mekanike, aluminin dhe çelikun.
“Tani duhet të arrihet një rezultat i shpejtë”, shtoi ai.
“Më mirë shpejt dhe lehtë sesa një proces i gjatë dhe i ndërlikuar dhe ende në status negociues për muaj të tërë”, theksoi Merz.
Uashingtoni dhe Brukseli kanë negociuar për javë të tëra për një marrëveshje tregtare, me qëllim parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të mosmarrëveshjes tarifore.
Tarifat ndaj mallrave të BE-së do të hyjnë në fuqi më 9 korrik nëse nuk arrihet një marrëveshje. /atsh