Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për medie ka folur për masat antidamping ndaj disa kompanive serbe.
Sipas saj, masat e marra kanë të bëjnë me importin e koncentratit për shpezë dhe kafshë, si dhe importin e bllokave. Ajo shtoi se synim kanë mbrojtjen e prodhuesve ngase është vërejtur se ka çmime më të ultë për çka edhe kanë bërë hetim për më shumë se 60 ditë.
“Caktohet masë mbrojtëse përkohshme antidamping prej tre euro centë për njësi në importin e bllokut standard me përmasa 19x19x25 nga Serbia. Të dy vendimet janë marr në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Hetimet janë zhvilluar në përputhje me ligjet, departamenti i Tregtisë ka gjetur se çmimi i ulët po ndikon në shtimin e importit të koncentratit dhe dëmton prodhuesit vendor të këtyre produkteve. Ne kemi pranuar rekomandimin për masën mbrojtëse të antidamping. Masa në importin e koncentratin e kafshëve është caktuar ndaj katër kompanive”, deklaroi ai.
Hajdari ka shtuar se më 24 shtator kanë dërguar letër në CEFTA për përfaqësimin e vendit pa ndërmjetësimin e UNMIK-ut. Ajo foli edhe për mundësinë e reciprocitetit të plotë me Serbinë.
“Informatat që edhe kryeministri ju ka dhënë ai ju ka njoftuar se po punojmë në këtë drejtim, nuk është vetëm ministria vetëm në këtë masë por edhe shumë institucione të tjera”, deklaroi Hajdari.
Ajo para gazetarëve ka folur edhe për rritjen e çmimeve, por që tha nuk është kompetencë e plotë e ministrisë, derisa janë duke i mbledhur ankesat e konsumatorëve.
“Ne kemi departamentin për mbrojtjen e konsumatorit dhe këto drejtohen të Autoriteti i Konkurrencës, ne presim që Bordi të intensifikojë bashkëpunimin me ministrinë tonë”, shtoi ajo.
Drejtori i departamentit të Tregtisë në këtë ministri, Zef Dedaj tha se masa prej 3 centë do të ndikojë në zvogëlimin e importeve nga Serbia.
“Fakti se e kemi masën nga 3 centë, mund të themi se është masë e përkohshme se do të vazhdohet për pesë vite, por mund të ketë edhe për katër cent, pasi që është e rëndësishme që masa tre cent të ndikojë në zvogëlimin e importeve nga Serbia”, deklaroi Dedaj.
Masa mbrojtëse e përkohshme antidumping prej 3 centë, është vendosur për këto kompani: FSh “Jabuka” doo Pancevo; “Gebi” doo; FSh “Sto Posto” dhe FSh “Becejka”.