UBT News

Merkel shkon në Moskë në kohën e raporteve të tensionuara

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do ta vizitojë Rusinë më 20 gusht për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin. Njoftimi u bë nga ana e qeverive ruse dhe gjermane. Vizita e fundit e Merkelit në Moskë ishte në janar të vitit 2020, por ajo pastaj disa herë ka zhvilluar bisedime telefonike me presidentin Putin.

“Në takim do të diskutohet për bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe gjendjen aktuale të marrëdhënieve dypalëshe. Ata do të marrin në konsideratë një numër çështjesh ndërkombëtare dhe rajonale”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Takimi do të mbahet në një kohë të raporteve të tensionuara midis Rusisë dhe Gjermanisë.

Një sërë çështjesh kanë ndikuar në këto tensione, përfshirë helmimin me një agjent nervor të politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny në gusht të vitit 2020, pastaj vrasjen e vitit 2019 në Berlin të një qytetari gjeorgjian me origjinë çeçene, për të cilën Berlini e ka fajësuar për Moskën, dhe një sulmi kibernetik të vitit 2015 kundër parlamentit gjerman.

Zyra e kancelares Merkel njoftoi më herët se ajo më 22 gusht do të vizitonte kryeqytetin ukrainas, Kiev. Që në vitin 2014, kur Rusia e aneksoi rajonin e Krimesë në Ukrainë, Berlini ka qenë një mbështetës i Kievit. Ky konflikt ka marrë më shumë se 13.000 jetë.

Megjithatë, një fushë bashkëpunimi mes Rusisë dhe Gjermanisë është ndërtimi i gazsjellësit rus Rrjedha Veriore 2. Gjermania është kritikuar për shkak të lejimit të ndërtimit të këtij tubacioni, i cili do të dyfishojë furnizimet ruse me gaz natyror në Gjermani.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se projekti do të rrisë varësinë nga furnizimet me gaz rus, dhe do t’ia pamundësojë Ukrainës të mbledhë tarifat e tranzitit.

Mirëpo, Berlini e ka lënë të hapur mundësinë për krijimin e një mekanizmit që do të kompenzonte Ukrainën për humbjen e të ardhurave.

Merkel dhe Putin gjithashtu ka të ngjarë të diskutojnë edhe për përkeqësimin e shpejtë të situatës së sigurisë në Afganistan. Merkel është drejt fundit të mandatit të saj të katërt si kancelare dhe do të largohet nga detyra pas zgjedhjeve gjermane më 26 shtator.

Exit mobile version