Ish-kancelarja Angela Merkel ka shkaktuar habi me qëndrimin e saj ndaj liderit të CDU-së, Friedrich Merz, duke ngritur tensione në partinë konservatore. Gjatë një eventi në Hamburg, Merkel u tregua e pavendosur kur u pyet nëse do të preferonte Merz-in apo Robert Habeck-un e të Gjelbërve si kancelar të ardhshëm. Ndërhyrja e saj me një përgjigje të paqartë dhe e shoqëruar me duartrokitje, la të kuptohej se distancimi i saj nga Merz-i mbetet i thellë.
Marrëdhënia e tyre e tensionuar ka rrënjë të vjetra, që nga koha kur Merkel e largoi Merz-in nga postet kryesore të CDU-së, duke e detyruar të largohej nga politika për një kohë të gjatë. Edhe pse muaj më parë ata u shfaqën miqësorë, qëndrimi i Merkel-it ndaj politikës së ashpër të Merz-it për migracionin dhe bashkëpunimi i tij me të djathtën ekstreme (AfD) kanë rikthyer ndarjet brenda partisë.
Kritikat e Merkel-it vijnë në një moment kyç, ndërsa Merz shihet si favorit për të rikthyer CDU-në në pushtet, por qëndrimi i tij ndaj emigracionit mbetet një çështje përçarëse, madje edhe brenda radhëve të konservatorëve./UBTNews/