Kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, që ka shumë të ngjarë të jetë udhëtimi saj i fundit në SHBA si kancelare, detyrë që do ta lerë pas katër mandatesh.
Këtë herë brenda Zyrës Ovale, pas Barack Obamës dhe Donald Trump, do të jetë Joe Biden, sigurisht në një klimë më pak të tensionuar se ajo me ish-presidentin amerikan, Trump, në prill 2018.
Por, vizita e kancelares gjermane nuk do të jetë thjesht një shëtitje në park, me Biden të vendosur për t’i dhënë jetë të re dialogut gjermano-amerikan, por edhe për të ushtruar presion maksimal sidomos në dy pika thelbësore: ndërtimin e gazsjellësit ”Nord Stream 2”, që do të çojë gaz në Gjermani direkt nga Rusia dhe për të cilën Shtëpia e Bardhë është kundër, si edhe çështja e liberalizimit të patentave për vaksinat Covid-19, propozuar nga presidenti amerikan, por që tani për tani refuzohet nga Berlini.
Biden do të përsërisë kundërshtimin e projektit prej 11 miliardë dollarësh të ”Nord Stream 2”, i përcaktuar nga ai vetë një “marrëveshje e keqe”, edhe pse deri tani Uashingtoni ka shmangur përplasjet.
Biden dhe Merkel do të përpiqen të gjejnë një pikë takimi mbi propozimin e presidentit amerikan për të liberalizuar patentat e vaksinave, me synimin për të shpejtuar fundin të pandemisë.
Propozim mbi të cilin, megjithatë, kancelarja gjermane shpreh dyshime.
“Prona intelektuale është një burim dhe duhet të mbetet i tillë edhe në të ardhmen”, deklaroi Merkel duke mbrojtur kështu BioNtech, një nga kompanitë më të mëdha për prodhimin e vaksinave.
Çështja e tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani do të jetë në qendër të bisedimeve mes dy liderëve duke pasur parasysh forcën e demonstruar ende nga talebanët dhe rrezikun që mund të jetë boshllëk që mund të mbushet nga Kina.
Një temë e nxehtë do të jetë edhe ajo e ofensivës së paparë nga hakerat rusë në SHBA dhe në të gjithë botën.