Ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel u nderua me medaljen më të lartë të Gjermanisë, Kryqin e Madh të Urdhërit Federal për Merita.
Deri më sot në Gjermani janë nderuar me Urdhrin e Meritës më shumë se 260 mijë persona. Por, Angela Merkel është personi i tretë që nderohet me shkallën më të lartë të Urdhrit të Meritës për qytetarët gjermanë: Kryqin e Madh.
Ky çmim i rëndësishëm u është dhënë “gjermanëve dhe të huajve për arritje në fushat politike, ekonomike, sociale apo intelektuale” që nga viti 1951.
Dy paraardhësit e saj kanë qenë gjithashtu kancelarë dhe të së njëjtës parti konservatore si Merkel, Unionit Kristian Demokrat. Konrad Adenauer, kreu i parë i qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë e ka marrë Kryqin e Madh për integrimin ekonomik dhe politik të Republikës Federale në Evropën Perëndimore në vitin 1954, shkruan DW. Helmut Kohl, i cili ka hapur rrugën për ribashkimin e Gjermanisë dhe ka luajtur rol vendimtar për futjen e euros si monedhë në vend të markës gjermane, është nderuar në vitin 1998.