UBT News

Merkel: Çështja Brexit, një poshtërim ndaj BE

Në librin e saj të ri “Freedom”, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka cilësuar çështjen e Brexit-it si një poshtërim për Bashkimin Evropian (BE). Merkel ka shkruar se dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE e la BE-në të dëshpëruar dhe se e sheh këtë ngjarje si një turp për vendet anëtare të BE-së.

Për mua, rezultati ndihej si një poshtërim, një turp për anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian, se Mbretëria e Bashkuar po na linte në baltë. Kjo ndryshoi Bashkimin Evropian në këndvështrimin e botës”, ka deklaruar Merkel në librin e saj. Ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar kishte qenë një pjesë thelbësore e projektit të unitetit evropian dhe pa të, BE-ja humbi një partner të rëndësishëm.

Merkel shpreh keqardhje për largimin e Britanisë nga BE, duke thënë se do të kishte preferuar të vazhdonte të punonte me Britaninë brenda BE-së, sesa të humbte atë si anëtare. “Edhe pse britanikët shpesh luanin një rol të veçantë, unë do të kisha më mirë të vazhdoja të punoja me ta brenda Bashkimit Evropian sesa t’i humbja ata si anëtare”, shkruan ajo.

Në librin e saj, Merkel gjithashtu përmend një periudhë të veçantë gjatë negociatave të buxhetit të BE-së për periudhën 2014-2020, kur ajo pretendon se kishte ndihmuar David Cameron, ish-kryeministrin britanik. Merkel thotë se Cameron kishte këmbëngulur për një buxhet të BE-së që nuk do të shfaqte rritje, por do të përfshinte plane për shpenzime më të larta. Ajo e cilëson këtë si një sulm ndaj vendeve që përfitonin më shumë nga buxheti i BE-së sesa kontribuon.

“U përpoqa të ndihmoja David Cameron. Ai këmbënguli për një buxhet, i cili nuk do të tregonte rritje, por që përfshinte plane për shpenzime më të larta. Ky ishte një sulm ndaj të gjitha vendeve përfituese që morën më shumë para nga buxheti i BE-së sesa kontribuuan“, shkruan Merkel.

Pas referendumi të Brexit-it, ish-kancelarja gjermane shprehet se e mundonte ideja nëse kishte mundur të bëjë më shumë për të parandaluar daljen e Britanisë nga BE. Ajo pranon se gabimet e së kaluarës nuk mund të zhbëheshin dhe se pas zhvillimeve politike në Mbretërinë e Bashkuar, nuk kishte asnjë mundësi për të penguar Brexit-in.

Kam arritur në përfundimin se, përballë zhvillimeve politike që po ndodhnin në atë kohë brenda vendit, nuk do të kishte asnjë mënyrë të arsyeshme për të penguar daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Gabimet e së kaluarës nuk mund të zhbëheshin. Kështu gjithçka që mbeti për mua ishte shpresa që Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja do të ruanin një ndjenjë vlerësimi të ndërsjellë, ata do të gjenin mënyra dhe mjete për t’u angazhuar në dialog, shkruan ajo në “Freedom”.

Angela Merkel u tërhoq nga posti i kancelarit në vitin 2021 pas 16 vitesh në pushtet, duke ia dorëzuar këtë detyrë pasardhësit të saj, Olaf Scholz./UBTNews/

Exit mobile version