Ministria e Infrastrukturës dhe komuna e Prishtinës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi lidhur me disa projekte infrastrukturore në kryeqytet.
Memorandumi është nënshkruar nga ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Abrashi tha se ky memorandum po konkretizohet pas një pune disa mujore me komunën e Prishtinës.
“Ka të bëjë me projekte që e lehtësojnë qarkullimin në Prishtinë. Hyrja në Grashticë për Hajvali. Ne do ta përkrahim financiarisht. Është nja marrëveshje me Asociacionin e Arkitektëve që do të na ndihmojë ne dhe komunën”, tha Abrashi.
Ndërsa, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ky memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës është shumë i rëndësishëm për kryeqytetin.
“Kësaj radhe kemi diskutuar për projektet që do të marrë ministria. Hyrja në Veternik ka rol shumë të madh si funksionon trafiku. Mandej kemi lidhjen te panairet në Shkabaj. Kemi pasur diskutim të gjatë për rrugën “A”. Edhe për lagjen Larishte kemi lidhur marrëveshje, e kemi kompaninë të gatshme për të filluar”, tha Ahmeti.