Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha sot se qeveria e saj ka arritur të krijojë një milion vende të reja pune, pavarësisht se është në pushtet gjatë asaj që është ndoshta koha më e vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në një fjalim video në kongresin e partisë Liga të Matteo Salvinit në Firence, Meloni tha gjithashtu se qeveria e saj, përveç ekonomisë, do të vazhdojë të forcojë pozitën e ushtrisë dhe policisë, transmeton Today.it.
“Ne jemi dhe do të jemi gjithmonë me forcat tona të rendit dhe ligjit, si më parë. Kemi shtuar numrin e njerëzve dhe burimet”, theksoi kryeministrja, duke shtuar se kjo e bën atë krenare, si dhe se edhe ish-kryeministri Silvio Berlusconi do të krenohej me qeverinë aktuale.
Meloni përsëriti se Italia nuk është dakord me vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për tarifat që ai ka vendosur ndaj vendeve në mbarë botën.
“Ne nuk pajtohemi me vendimin e Trump në lidhje me tarifat, por jemi të gatshëm të përdorim të gjitha mjetet, ekonomike dhe negociuese, për të mbështetur kompanitë dhe sektorët tanë dhe për t’i mbrojtur nga pasojat e dëmshme”, tha ajo.
Meloni shtoi se tarifat duhet të përgjigjen me vendosmëri dhe në mënyrë pragmatike dhe të mos shkaktojnë panik.