Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u shpreh se propozimi për riatdhesimet e emigrantëve i paraqitur nga shefja e BE-së, Ursula von der Leyen për hapjen e qendrave të përpunimit për azilkërkuesit në vendet jo anëtare të Unionit u krijua falë planit të Italisë për përpunimin e shpejtë të kërkesave për azil në Shqipëri.
“Kjo nuk do të ndodhte nëse Italia nuk do të kishte kurajon që të inicionte protokollin me Shqipërinë. Me këtë kurajo ne u përcollëm të tjerëve në BE zgjidhje inovative për të përballuar së bashku flukset emigratore”, tha kryeministrja italaliane.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia Ansa, duke cituar një debat të Dhomës së Ulët përpara Këshillit Evropian të kësaj jave.
“Ne e konsiderojmë atë një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm, gjithashtu për të harmonizuar praktikat e shteteve të ndryshme anëtare dhe për të bërë veprimet e riatdhesimit të atyre që nuk janë të mirëpritur në Bashkimin Evropian: nëse hyni ilegalisht në Evropë, nuk mund të qëndroni në territorin tonë”, tha kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Duke iu referuar angazhimit të qeverisë italiane, për zgjidhje inovative, Meloni përmendi Protokollin Itali-Shqipëri, të cilin ajo tha se qeveria është e vendosur ta çojë përpara.
“Përsa i përket protokollit me Shqipërinë ju i kuptoni arsyet pse për momentin zbatimi i tij është pezulluar. Kjo çështje po shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian mbështesin qëndrimin e qeverisë italiane për këtë çështje. Në propozimin e presidentes së KE, Ursula von der Leyen për Këshillin Evropian, që mblidhet këtë fundjavë, thuhet se duhen hapur qendra pritjeje në shtete të treta jashtë BE-së, për shqyrtimin e kërkesave të azilkërkuesve.