Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se “nuk do të lejoj që Italia të bëhet kamp i refugjatëve të Evropës”. Ajo ka folur në Nju Jork ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Meloni ka thënë se një rritje e numrit të mbërritjeve të emigrantëve në ishullin Lampedusa e ka vënë Italinë nën “presion të paqëndrueshëm”.
Në Nju Jork ajo ka hedhur poshtë kritikat ndaj Memorandumit të Mirëkuptimit që BE-ja ka nënshkruar me Tunizinë për bashkëpunim në ndalimin e trafikantëve me qenie njerëzore që përdorin brigjet e saj për të nisur anijet me emigrantë, raporton ANSA.
“Është e rëndësishme që memorandumi me Tunizinë të çohet përpara .Është një model për t’u përdorur edhe me kombet e tjera”, ka thënë ajo.
Kryeministrja italiane ka thënë se kishte “vëmendje dhe ndërgjegjësim të madh” për situatën e emigrantëve dhe “shumë solidaritet”.
“Problemi është të shohim se kur dhe në çfarë shkalle, ai solidaritet do të shndërrohet në akte konkrete”, ka shtuar ajo.