Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ishte e ftuar në “Quarta Repubblica” ku ka sjellë në vëmendje dhe njëherë çështjen e trajtimit të azilkërkuesve në kampin e Gjadrit.
Kryeministrja e Italisë tha se ka zgjidhje dhe po punon për këtë.
“Qendrat në Shqipëri do të punojnë. Nuk bëj premtime që nuk mendoj se mund t’i mbaj”, tha kryeministrja për Quarta Repubblica në Rete 4.
Sipas Melonit, projekti është inovativ dhe “nuk është rastësi që i kushtohet vëmendje pothuajse nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”.
“Është një ndryshim total në menaxhimin e flukseve migratore. Prandaj pritet vendimi nga Gjykata Supreme dhe Gjykata e Drejtësisë e BE-së. Në çdo rast jam duke punuar edhe për zgjidhje të tjera dhe në fund do të funksionojë”, tha ajo.
Plani i Qeverisë Italiane për trajtimin e azilantëve në kampin e Gjadrit ka hasur disa momente të komplikuara, pasi në dy raste Gjykata e Romës ka urdhëruar kthimin mbrapsht të emigrantëve që u sollën me anije në portin e Shëngjinit.