UBT News

Melodia e vjetër e BE-së për Ballkanin


Të dëgjosh Bashkimin Evropian duke u prononcuar për Ballkanin Perëndimor është pak a shumë njësoj sikur të mbyllesh në një dhomë dhe të dëgjosh të njëjtën melodi.

Është i njëjti refren i ëmbël që premton një të ardhme të mrekullueshme së bashku, por pa përcaktuar ku dhe kur.

Ka qenë viti 2003 kur udhëheqësit e BE-së, të mbledhur në qytetin grek të Selanikut, kanë deklaruar për herë të parë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen një ditë anëtare të BE-së.

Tetëmbëdhjetë vjet pas, konkluzionet e Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së janë saktësisht të njëjta: rajoni ka perspektivë evropiane. Po ashtu shtohet se BE-ja do ta rrisë angazhimin e saj me vendet atje.

Dikush natyrisht se mund të thotë se ka pasur përparim në këto vite. Sllovenia dhe Kroacia janë bërë anëtare të BE-së, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi janë më pranë anëtarësimit, ndonëse me ritëm të kërmillit.

Por, fakt i trishtueshëm është se dhjetë vjetët e fundit kanë lënë shumë për të dëshiruar në marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Dhe, ka çdo arsye për të besuar se dhjetë vjetët e ardhshëm mund të jenë një tjetër dekadë e humbur.

Arsyeja për këtë pesimizëm buron nga një ngjarje që ka ndodhur këtë muaj. Ajo nuk ka pasur të bëjë drejtpërdrejt me Ballkanin Perëndimor, por me atë se si funksionon politika në bllok.

Ngjarja në fjalë ishte një intervistë e ish-kryenegociatorit të BE-së për Brexit-in, Michel Barnier, dhënë për televizionin francez, më 11 maj.

Michel Barnier
Michel Barnier

Barnier, i cili ka qenë edhe komisionar evropian dhe ministër në disa qeveri franceze, shkaktoi valë tronditëse nëpër korridoret e Brukselit.

Duke tingëlluar si Gaulist i vërtetë [v.j. Gaulist – mbështetës i parimeve politike të ish-presidentit të Francës, Charles de Gaulle], ai sugjeroi se Franca duhet të pezullojë imigrimin nga vendet joanëtare të BE-së deri në pesë vjet dhe tha se Parisi duhet të punojë në mënyrë aktive për të ashpërsuar kufijtë e jashtëm të zonës Shengen. Pa ngurrim, ai bëri edhe një lidhje midis flukseve të imigrimit në Evropë dhe rrjeteve terroriste.

Ish-burrështetasi evropian që lartësonte virtytet e tolerancës dhe hapjes së bllokut, u humb. Në vend të tij doli një politikan me pikëpamje opurtuniste, që dukej se u drejtohej votuesve të Marine Le Penit, përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë, që do të mbahen në pranverë të vitit 2022.

Deri më tani, 70-vjeçari ka luajtur me idenë e kandidimit me partinë e qendrës së djathtë Les Republicains, por sondazhet e opinionit kanë sugjeruar se ai nuk do të ishte kundër-kandidat as i Le Penit, as i presidentit aktual, Emmanuel Macron, pasi nga shumë njerëz konsiderohet si shumë centrist dhe i butë.

A ishte kjo ndoshta përpjekja e tij e fundit e dëshpëruar për të qenë përsëri relevant me atdheun e tij?

Sido që të jetë, ky episod tregon dy gjëra që janë të dëmshme për aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për në BE.

Së pari, tregon se ekziston ende tradita e politikanëve evropianë për të thënë një gjë në Bruksel dhe pastaj diçka krejt tjetër në kryeqytetet e vendeve të tyre, për të kënaqur shijet lokale.

Së dyti, e ndoshta edhe më me rëndësi, deklarata e Barnierit tregon klimën aktuale politike në një nga vendet kryesore të bllokut. Ajo nuk nxjerr optimizëm të jashtëm. Përkundrazi, ka të bëjë me ndërtimin e një “Evrope fortesë” dhe francezët vështirë se janë vetëm në këtë qasje.

Në fakt, kombinimi i të dyja këtyre shfaqet vazhdimisht kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor.

Presidenca portugeze e BE-së me sa duket po punon për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përpara se të përfundojë udhëheqja e saj më 1 korrik, por nuk ka asnjë tregues se Bullgaria do të lëkundet nga qëndrimet e veta.

Sofja është në mes të një fushate të re zgjedhore dhe kontesti i saj me Shkupin rreth gjuhës dhe historisë vazhdon.

Sipas Komisionit Evropian, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por disa shtete anëtare të BE-së nuk duan t’ia japin ende.

Gjithmonë, ka ca zgjedhje diku në bllok që janë shumë më të rëndësishme sesa nevoja për t’u dhënë një dritë jeshile vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fund, institucionet evropiane do të bëjnë atë që bëjnë gjithmonë kur ka çështje si këto – do të mbajnë takime.

Tashmë është vendosur që Ballkani Perëndimor duhet të përfshihet më shpesh në agjendën e Këshillit të Jashtëm të BE-së.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, do t’i ftojë të gjithë udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit për darkë në Bruksel, javën e ardhshme, dhe tani ekziston mundësia që çdo vit të ketë samite midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Kroacia ka qenë nikoqire e një samiti të tillë në vitin 2020. Një tjetër do të mbahet më vonë këtë vit në Slloveni dhe Republika Çeke ka treguar interesim për të organizuar një samit të ngjashëm më 2022.

Rezultati më i mundshëm i të gjitha këtyre samiteve është deklarata e njëjtë e vjetër për perspektivën evropiane të rajonit. Thjesht, mos pyetni ku ose kur! RFE

Exit mobile version