Një gazetare meksikane u qëllua për vdekje në qytetin kufitar të Tijuana-s, konfirmuan autoritetet meksikane. Kjo është gazetarja e tretë që u vra gjatë këtij viti në Meksikë. Motivi i vrasjes së saj nuk dihet dhe askush s’është arrestuar në lidhje me rastin.
Lourdes Maldonado Lopez, që kishte disa dekada eksperiencë, u qëllua për vdekje para shtëpisë së saj, të dielen. Ajo gjithmonë frikësohej se do ta vrisnin dhe u regjistrua në një skemë që i mbron gazetarët, thonë aktivistët.
Meksika është një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, dhe dhjetëra prej tyre janë vrarë vitet e fundit. Shumica e viktimave mbulonin korrupsionin dhe kartelet e fuqishme të drogës. Aktivistët thonë se këto raste rrallëherë hetohen plotësisht dhe nuk ka ndëshkim ndaj kryesve.
Gjatë një konference për media në vitin 2019, Maldonado i kërkoi presidentit Andrés Manuel López Obrador “mbështetje, ndihmë dhe drejtësi pune”, meqë ajo frikësohej. Ajo i referohej një mosmarrëveshjeje pune me Jaime Bonilla, i cili u zgjodh guvernator i shtetit Baja California në fund të atij viti si kandidat nga partia e presidentit, Morena. Bonilla, i cili u largua nga detyra e guvernatorit në fund të vitit të kaluar, zotëron median PSN, ku edhe punonte ajo. Maldonado kishte paditur kompaninë për shkarkim të padrejtë nga puna dhe javën e kaluar tha se ajo kishte fituar gjyqin pas një beteje ligjore nëntëvjeçare. Bonilla dhe PSN nuk e kanë komentuar rastin.
Vrasja erdhi gjashtë ditë pasi fotoreporteri Margarito Martínez u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Tijuana. Ai raportonte për krimin në qytet. Një javë para vrasjes së tij, u ther për vdekje redaktori i faqeve të lajmeve Inforegio dhe La Noticia, Jose Luis Gamboa Arenas. Kryesisht mbulonte temat rreth krimit të organizuar dhe dhunës./UBTNews