Claudia Sheinbaum është zgjedhur presidentja e parë grua e Meksikës në një fitore historike dërrmuese.
Autoriteti zyrtar zgjedhor i Meksikës tha se rezultatet paraprake treguan se ish-kryebashkiakja 61-vjeçare e qytetit të Meksikos fitoi midis 58% dhe 60% të votave në zgjedhjet e së dielës.
Kjo i jep asaj një epërsi prej gati 30 pikë përqindjeje ndaj rivales së saj kryesore, biznesmenes Xóchitl Gálvez. Zonja Sheinbaum do të zëvendësojë mentorin e saj, Presidentin në largim Andrés Manuel López Obrador, më 1 tetor.
Sheinbaum, një ish-shkencëtare e energjisë, ka premtuar vazhdimësi, duke thënë se ajo do të vazhdojë të ndërtojë mbi “përparimet” e bëra nga z. López Obrador.
Përpara se të kandidonte për presidente, zonja Sheinbaum ishte kryetare e qytetit të Meksikos, një nga postet më me ndikim politik në vend dhe që shihet si hapja e rrugës për presidencën.
Sheinbaum, gjyshërit e nënës hebrenj të së cilës emigruan në Meksikë nga Bullgaria duke ikur nga nazistët, pati një karrierë të shkëlqyer si shkencëtare përpara se të merrej me politikë.
Të dy prindërit e saj ishin shkencëtarë dhe zonja Sheinbaum studioi fizikë përpara se të vazhdonte të merrte një doktoraturë në inxhinierinë e energjisë.
Ajo kaloi vite në një laborator kërkimor të njohur në Kaliforni duke studiuar modelet meksikane të konsumit të energjisë dhe u bë eksperte për ndryshimet klimatike.
Kjo përvojë dhe aktivizmi i saj studentor përfundimisht i dhanë postin e sekretares së mjedisit për Mexico City në kohën kur Andrés Manuel López Obrador ishte kryebashkiak i kryeqytetit.
Në vitin 2018 ajo u bë kryetarja e parë femër e qytetit të Meksikos, një post që e mbajti deri në vitin 2023, kur u largua për të kandiduar për presidente. /BBC/