Ministria e Mbrojtjes përmes Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së si dhe me të gjitha strukturat komanduese dhe shtabore të të gjitha niveleve të FSK-së ka filluar procesin planifikues për pjesëmarrjen në stërvitjen “Defender Europe 23”.
Ministri Armend Mehaj ka vizituar sot oficerët, nënoficerët dhe nëpunësit në SHP të FSK-së për t’i përgëzuar për fillim të mbarë të ndërmarrjes më të madhe stërvitore në historinë tonë “Defender-Europe’23”, së bashku me forcat e 28 vendeve aleate të udhëhequra nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë dhe Afrikë.
““Defender-Europe’23” do të jetë sprova jonë që do ta realizojmë me sukses të plotë dhe do të ri-konfirmojmë fuqishëm se jemi të gatshëm plotësisht për të dhënë kontributin efektiv bashkë me forcat e vendeve aleate në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, kontinental dhe global”, ka shkruar ai në Facebook.
Objektivë kryesore për vitin 2022/23, ka shtuar Mehaj, është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e integritetit territorial, pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
“Vazhdojmë fuqishëm drejtë sukseseve të reja! Së bashku më të fortë me forcat aleate amerikane dhe gjithë aleatët tjerë!”, ka thënë ai.