Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim komandantin e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneral Christopher Cavoli. Me këtë rast, gjeneral Cavoli, duke uruar ministrin Mehaj për detyrën e ministrit të mbrojtjes, premtoi se SHBA, sikur deri më tash do të vazhdoj mbështetjen e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-në në procesin e zhvillimit dhe të tranzicionit në përputhje me objektivat strategjik.
Nga ana e tij, ministri Mehaj e falënderoi gjeneral Cavolin dhe shprehu mirënjohjen e thellë për SHBA-në dhe rolin e pazëvendësueshëm për vendin tonë si dhe në të arriturat e gjithmbarshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Ministri Mehaj, në vazhdim, theksoi se mbështetja e deritashme nga SHBA ka qenë jetike në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së duke shprehur mirënjohjen e thellë për mundësinë historike të pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në operacione jashtë vendit krahë forcave amerikane.
Gjithashtu, ministri Mehaj shprehu nderin dhe respektin e madh për përfshirjen e Kosovës në mesin e vendeve pritëse gjatë stërvitjes “Defender-Europe 21” si dhe pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në këtë stërvitje kaq të rëndësishme për vendin dhe forcat tona.
Me gjeneral Cavolin, takim të ndarë, zhvilloi edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili falënderoi qeverinë dhe forcat amerikane për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.
Nga ana e tij, gjeneral Cavoli shprehu vlerësimin e tij për të arriturat e deritashme të FSK-së si dhe shkallën e implementimit të Planit të Tranzicionit drejt ngritjes të mëtejme profesionale dhe të ndërveprueshme me forcat partnere. Ai, gjithashtu çmoi pjesëmarrjen e FSK-së me kapacitete e saj në stërvitjen “Defender-Europe 21”./UBTNews