UBT News

Mehaj-Cooper, SHBA përkrah Ushtrisë së Kosovës

Ministri Mehaj dhe gjeneral Rama u takuan me Zëvendës-ndihmësen e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper 

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes video-lidhjes zhvilloi sot takim me Zëvendës-ndihmësen e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper. Me këtë rast, znj. Cooper, e uroi ministrin Mehaj për detyrën e ministrit të mbrojtjes. Ajo premtoi se SHBA, përmes programeve shtetërore, do të vazhdojë partneritetin e ngushtë dhe të fuqishëm me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e saj.

Nga ana e tij, ministri Mehaj e falënderoi znj. Cooper për urimet dhe shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për SHBA-në për mbështetjen e pazëvendësueshme për vendin tonë si dhe në të arriturat e gjithmbarshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Ministri Mehaj, në vazhdim, theksoi se mbështetja e deritashme nga SHBA ka qenë jetike në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së duke shprehur mirënjohjen e thellë për mundësinë historike të pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në operacione jashtë vendit krahë forcave amerikane.

Në fund të dy u pajtuan që bashkëpunimi në mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë të zgjerohet edhe më shumë në funksion të paqes, sigurisë e stabilitetit rajonal e më gjerë.

Me znj.Cooper, takim të ndarë, përmes video-lidhjes, zhvilloi edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili falënderoi atë për interesimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të saj për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.  Nga ana e saj, znj. Cooper, shprehu vlerësimin e saj për të arriturat e deritashme të FSK-së edhe pse në kushte pandemie e sidomos në procesin e implementimit të Planit të Tranzicionit të FSK-së. Të dy ranë dakord që bashkëpunimi të fuqizohet edhe më tej në të ardhmen në funksion të zhvillimit të FSK-së për realizimin e plotë të misionit të saj.

Exit mobile version