Dukesha e Sussex-it, ka përjetuar një valë kritikash pasi postoi një video në Instagram ku shihej në një limuzinë në Paris me këmbët të ngritura, jo shumë larg tunelit ku princësha Diana humbi jetën në mënyrë tragjike në vitin 1997.
Shumë përdorues e kanë cilësuar këtë veprim si “të padenjë” dhe “të papërgjegjshëm”, duke shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale.
Videoja u publikua gjatë qëndrimit të Meghan Markle për Javën e Modës në Paris dhe tregonte këndin e saj nga makina duke kaluar pranë urave të njohura të qytetit, si Pont Alexandre III dhe Pont des Invalides.
Ajo që ndezi polemikat ishte afërsia me Pont d’Alma, pranë tunelit ku Diana, partneri Dodi Fayed dhe shoferi i saj Henri Paul humbën jetën në një aksident automobilistik. Kjo ngjarje erdhi pak ditë pas pjesëmarrjes së saj të papritur në Javën e Modës, e cila ishte vizita e parë në Evropë që nga Lojërat Invictus 2023 në Dyseldorf. Video e ndau me 4.2 milionë ndjekës, duke shkaktuar reagime të menjëhershme.
Eksperti mbretëror, Richard Fitzwilliams, e përshkroi si “konfuz”, “absurd” dhe “të papërshtatshëm”. Ai theksoi se, megjithëse Meghan ka të drejtë të marrë pjesë në evente të modës, ndarja e një videoje që lidhet me tragjedinë e Dianës është “e pakuptimtë dhe e pandjeshme”.
Fitzwilliams shtoi se edhe princi Harry mund të jetë ndjerë i prekur nga situata: “Vdekja e Dianës është një plagë që e ka shoqëruar gjithë jetën e tij. Nuk mund të imagjinoj që ta ketë marrë mirë këtë gjest.”
Edhe përdoruesit e platformës X u shprehën kritikë, duke theksuar se videoja nuk ndihmon aspak Harry-n dhe është e papranueshme për shumë njerëz. Meghan mori pjesë në sfilatën e Balenciaga-s, ku u pa në shoqërinë e Anna Wintour, Anne Hathaway dhe Baz Luhrmann.
Përfaqësuesi i saj tha për People se ajo ishte aty për të mbështetur Pierpaolo Piccioli, mikun e saj të ngushtë dhe drejtorin kreativ të markës.
Dukesha kishte zgjedhur një fustan të personalizuar nga Balenciaga, të kombinuar me një çantë të zezë dhe taka elegante të së njëjtës markë, me një vlerë prej rreth 745 funte (854 euro). /A.Z/UBT News/