UBT News

​Mediat shqipe në Luginë përballen me pengesa dhe vështirësi nga Serbia

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe nga Lugina e Preshevës, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimin e informimit shqip në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe sfidat me të cilat ato përballen.

Përfaqësuesit e mediave të Luginës shfaqën shqetësime serioze në lidhje me diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe në veçanti situatën e paqëndrueshme dhe diskriminuese ndaj mediave shqipe në Luginë.

Edhe pse përcaktimet ligjore duhet të sigurojnë qasje të barabartë për mediat në gjuhën shqipe në Serbi, ato ende përballen me pengesa dhe vështirësi kur tentojnë të përfitojnë edhe nga mbështetja financiare, e nevojshme për të plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme, u tha në takim.

Nevoja për qëndrueshmëri financiare është një çështje kyçe për bashkëpunim, rritjen e profesionalizmit dhe cilësisë së informimit shqip në Luginë, duke respektuar parimet e gazetarisë së pavarur dhe etikën profesionale.

Zëvendëskryeministri Bislimi i njoftoi pjesëmarrësit rreth mundësive të bashkëfinancimit nga mjetet e buxhetit të Kosovës për Luginën e Preshevës. Gjithashtu, shprehu përkushtimin e Qeverisë për të mbështetur dhe kontribuar pozitivisht në përmirësimin e situatës në Luginën e Preshevës.

Exit mobile version