Mënyra se si mediat në Kosovë raportojnë për ballafaqimin me të kaluarën vazhdon të mbetet një sfidë e rëndësishme për gazetarinë, pavarësisht numrit të madh të storieve të publikuara.
Mungesa e gazetarëve të specializuar, raportimi sipërfaqësor, mungesa e kontekstit dhe dominimi i narrativave të njëanshme ishin disa nga çështjet e diskutuara gjatë prezantimit të një punimi mbi rolin e mediave në drejtësinë tranzicionale.
Autori i punimit, gazetari Besian Beha, gjatë tryezës “Raportimi i përgjegjshëm mbi ballafaqimin me të kaluarën dhe sfidat e mediave në Kosovë”, të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, theksoi se përgjegjësia e mediave është veçanërisht e madhe kur trajtohen tema të ndjeshme si krimet e luftës, viktimat dhe personat e zhdukur.
Ai ngriti shqetësimin për mungesën e një databaze zyrtare me të dhëna të plota për viktimat dhe të zhdukurit e luftës në Kosovë, duke thënë se kjo e vështirëson raportimin profesional.
Sipas tij, mediat shpesh kanë dështuar të sjellin një pasqyrim më gjithëpërfshirës të pasojave të luftës, duke përfshirë edhe viktimat nga komunitetet joshqiptare.
“Ka pasur ekstremisht pak storie kur flasim për viktimat që janë të komuniteteve tjera: rom, ashkalinj, egjiptianë edhe serbë. Mediat nuk kanë treguar mjaftueshëm që ka pasur pjesëtarë të këtyre komuniteteve që kanë qenë viktima civile, por edhe pjesëtarë të UÇK-së”, tha Beha.
Ndërsa gazetarja hulumtuese Serbeze Haxhiaj vlerësoi se raportimi për luftën në Kosovë shpesh është i ndikuar nga narrativat politike dhe nacionaliste, duke e bërë më të vështirë një qasje profesionale.
Ajo tha se diskursi publik dhe mediatik vazhdon të ndikohet nga tensionet politike mes Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar, sipas saj, një raportim shpesh të kufizuar dhe të njëanshëm.
Në takim foli edhe Blerta Dalloshi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e cila tha se janë duke u zhvilluar trajnime të specializuara për gazetarët lidhur me raportimin mbi drejtësinë tranzicionale.
Ajo kërkoi që edhe institucionet universitare të përfshijnë më shumë përmbajtje për këtë fushë, në mënyrë që gazetarët e rinj të jenë më të përgatitur për trajtimin e temave të ndjeshme.
Sipas pjesëmarrësve, raportimi i përgjegjshëm mbi të kaluarën mbetet i domosdoshëm për një shoqëri më të informuar dhe për një proces më të drejtë të ballafaqimit me historinë./A.K/
