UBT News

Mediat kryesore i bëjnë thirrje SHBA-së “të ndalë ndjekjen e Julian Assange”

Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund ndjekjes penale të Julian Assange, thanë mediat kryesore nga SHBA-ja dhe Evropa që kanë bashkëpunuar me themeluesin e WikiLeaks, duke u thirrur në shqetësime të lirisë së shtypit.

“Kjo aktakuzë krijon një precedent të rrezikshëm dhe kërcënon që të minojë amendamentin e parë të Amerikës dhe lirinë e shtypit”, thanë kryeredaktorët e Guardian, New York Times, Le Monde, Der Spiegel dhe El Pais përmes një letre të hapur.

Assange kërkohet nga autoritetet amerikane për 18 akuza, përfshirë edhe për spiunazh për shkak të publikimit që Wikileaks bëri të dokumenteve konfidenciale të ushtrisë amerikane dhe të kabllogrameve diplomatike. Mbështetësit e tij thonë se ai është një hero kundër establishmentit që është viktimizuar pasi ka ekspozuar keqbërjet e SHBA-së, përfshirë ato në konfliktet në Afganistan dhe Irak.

Më 28 nëntor shënohen 12 vjet qëkur mediat që bashkëpunuan me të për të publikuar pjesë nga mbi 250 mijë dokumente që Assage siguroi, në ato që njihen si publikime të “Cablegate”.

Materialet rrodhën te WikiLeaks nga ushtarja e atëhershme amerikane, Chelsea Manning, dhe zbuluan detaje për diplomacinë e brendshme amerikane në mbarë botën. Dokumentet ekspozuan “korrupsionin, skandalet diplomatike dhe çështjet e spiunazhit në shkallë ndërkombëtare”, u tha në letër.

Në gusht, një grup i gazetarëve dhe avokatët paditën Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) dhe ish-drejtorin e saj, Mike Pompeo, lidhur me pretendimet se kjo agjenci kishte spiunuar ata kur vizituan Assange në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Assange qëndroi shtatë vjet në ambasadën e Ekuadorit para se të dërgohej në burg më 2019 lidhur me shkeljet e lirimit me kusht. Ai vazhdon të jetë në një burg në Londër, ku po pret që të vendoset për ekstradimin e tij. Nëse do të ekstradohet në SHBA, ai mund të dënohet deri me 175 vjet burgim.

Ekipi i tij mbrojtës ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë të Londrës, teksa po tenton që të parandalojë ekstradimin e Assange.

“Publikimi nuk është krim”, thanë mediat në letrën e tyre të hapur të publikuar të hënën./REL

Exit mobile version