UBT News

Mediat amerikane refuzojnë rregullat e reja të Pentagonit për raportimin

Mediat e huaja si CNN, The New York Times, Reuters, AP dhe NPR, kanë refuzuar të pranojnë rregullat e reja të vendosura nga Pentagoni, të cilat i detyrojnë gazetarët të zotohen se nuk do të publikojnë materiale të paautorizuara, përfshirë edhe dokumente jo-sekrete.

Sipas mediave, këto rregulla cenojnë lirinë e shtypit, e garantuar nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shoqata e gazetarëve që mbulojnë Pentagonin e ka cilësuar këtë vendim si përpjekje për të kontrolluar median dhe ka paralajmëruar se gazetarët mund të përballen me pasoja ligjore nëse i shkelin rregullat.

Rregullat janë mbështetur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, një ish-prezantues i Fox News, i emëruar nga Presidenti Trump.

Kushtetuta e SHBA-së garanton lirinë e fjalës dhe të shtypit në Amendamentin e Parë.

Këto të drejta janë mbrojtur në mënyrë të veçantë edhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë në vitin 1971, që lejonte mediat të publikojnë dokumente ushtarake të klasifikuara lidhur me Luftën e Vietnamit.

Kritikët thonë se përpjekja për të kufizuar raportimin pa ndonjë arsye të qartë për rrezik kombëtar, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj shtypit të lirë./S.K/EO/

Exit mobile version