Këshilli Studentor i mbështetur nga UBT ka zhvilluar zgjedhjet për përzgjedhjen e përfaqësuesve të studentëve, ku me shumicë votash, studenti nga Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT është zgjedhur kryetar i Këshillit Studentor.
Nën monitorimin e drejtorit për Çështje Akademike në UBT, Muhamet Ahmeti, sekretarit të UBT-së, Artan Tahiri, menaxherit për Çështje Studentore, Murat Retkoceri, si dhe koordinatores për Çështje Akademike në UBT, Mirlinda Jashanica, është realizuar procesi zgjedhor për përfaqësuesit e studentëve, në një proces të drejtë dhe transparent.
Musa Bajmak u shpreh falënderues për besimin e kolegëve të fakulteteve të ndryshme brenda UBT-së, duke potencuar gatishmërinë e tij për të mbrojtur dhe përfaqësuar dinjitetshëm interesat e të gjithë studentëve të UBT-së.
Në pozitën e nënkryetares së Këshillit Studentor është përzgjedhur Rina Hasani, teksa sekretare e Këshillit Studentor do të jetë Ilirida Dobraj, nga ku së bashku me përfaqësuesit e tjerë të përzgjedhur të Komisionit të Ankesave, Komisionit për Cilësi, Komisionit Disiplinor, si dhe Këshillit Akademik, do të adresojnë kërkesat dhe interesat e studentëve të UBT-së.