Stafi i Teatrit Kombëtar të Kosovës këtë javë po i kthehet punës. Pas më shumë se tre muajsh, aktorët, punonjësit tekniko-artistikë do të kthehen në skenë për të hapur dyert për publikun. Janë shfaqjet që ishin në repertor para se greva e aktorëve të fillojë, ato që do t’ia hapin dyert institucionit më të lartë teatror në vend.
Në ditët e para aktorët do të punojnë pa ndonjë benefit real nga greva, por janë në pritje të realizimit të një zotimi verbal që iu ka thënë ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Janë shfaqjet “Martesa”, “Makbethi” e “Kamarja e turpit” që do ta hapin “sezonin” post-grevë. Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se është lajm i mirë pezullimi i grevës. Sipas tij, është mirëpritur rinisja e punës.
“Natyrisht jemi shumë të kënaqur që po fillojmë me punën”, ka thënë ai duke treguar se do të nisin provat për shfaqjen “Art” me tekst të francezes Yasmina Reza e regji të Bashkim Ramadanit. Bëhet fjalë për një komedi me tri personazhe.
Aktorët e Teatrit Kombëtar kanë pezulluar grevën me 28 shkurt pas më shumë se tre muajsh aktivitet sindikal. Ky pezullim kishte ardhur pasi kishin marrë “porosi” nga ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku se kërkesat e tyre do të plotësohen brenda nja tri javësh. Pezullimi po ashtu është bërë pasi vetë disa aktorë kanë thënë se janë kërcënuar indirekt me ndalje të pagave e largim nga vendi i punës.
Sipas njoftimit zyrtar të Shoqatës Sindikale të Aktorëve të TKK-së, të premten vonë aktorët kanë pezulluar aktivitetin sindikal.
“Pas një greve tremujore dhe insistimit tonë të vazhdueshëm për një konfirmim zyrtar nga Ministria e Kulturës lidhur me afatin e zgjidhjes së çështjes së ekuivalentimit të pagave të aktorëve, na është komunikuar verbalisht nga një anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar se ministri Hajrulla Çeku është zotuar që kjo çështje do të zgjidhet brenda tri javësh”, shkruhej në njoftim.
Bëhej e ditur se në momentin që Sindikata e Aktorëve merr konfirmim zyrtar nga MKRS-ja se ky zotim realizohet brenda afatit të deklaruar nga ministri Hajrulla Çeku, do ta ndërpresin përfundimisht grevën. Vendimi është marrë me shumicë votash: 9 pro, 5 kundër, 2 abstenime.
“Sindikata vendos ta pezullojë grevën dhe t’i rikthehet skenës. Nëse brenda afatit të përcaktuar kjo çështje nuk zgjidhet, duke pasur mirëkuptim për pengesat eventuale, ne do të presim edhe tri javë të tjera. Nëse edhe pas kësaj periudhe nuk kemi një konfirmim zyrtar nga MKRS-ja për aprovimin e kërkesës sonë për ekuivalentimin e pagave, ne rezervojmë të drejtën për të rifilluar grevën dhe veprimet e tjera sindikale, në përputhje me të drejtat tona ligjore”, shkruhej në njoftim.
Të hënën e javës së kaluar, ministri i Kulturës në detyrë, kishte pritur në takim Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, aktivitetet tjera të asaj dite janë bërë publike, pos këtij takimi. Ministri Çeku ka folur me përbuzje për grevistët e ka thënë se për dy-tri javë do zgjidhet kjo çështje. Synimet janë që nëpërmjet një rregulloreje për sistematizim të vendeve të punës të bëhet ngritje e pagës për aktorët.
Në fillim të kësaj jave, aktori Shkëlzen Veseli kishte thënë se pavarësisht kërcënimeve e shantazheve, ata nuk tërhiqen. Aktori Adrian Morina kishte përmendur edhe grevën e urisë si masë radikale. Por, në këtë rast kishte folur vetëm për veten.
Para disa ditësh, aktorët i janë drejtuar me një letër ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku ku i kanë bërë me dije se ka kaluar koha ligjore e ndërmjetësimit. Kanë kërkuar që të dinë se deri ku ka shkuar procesi i plotësimit të kërkesave të tyre dhe janë shprehur të gatshëm për takim të përbashkët. Por MKRS-ja s’u ka kthyer zyrtarisht ndonjë përgjigje.
Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor të vitit të kaluar aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”.
Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 22 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Përkthyer në shuma: paga e aktorit të kategorisë së parë me koeficient 8 është 880 bruto.
Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.
Para 22 muajsh, kur ishin ngritur pagat me zbatimin e Ligjit për paga në sektorin publik, pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji, renditen edhe koeficientet e propozuara për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë.
Kërkesa për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës. Asokohe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientet do të rishqyrtoheshin. /UBT News/