Një autobus që transportonte dhjetëra fëmijë të shkollave fillore është përplasur dhe ka marrë flakë pak jashtë kryeqytetit të Tajlandës, Bangkok.
Aksidenti tragjik në Tajlandë ka shkaktuar vdekjen e mbi 20 fëmijëve të shkollave fillore dhe disa mësuesve, ndërsa shumë të tjerë janë ende të pagjetur. Autobusi, që transportonte fëmijë dhe mësues që ktheheshin nga një ekskursion, u përplas dhe mori flakë afër Bangkokut. Sipas raportimeve në vend, 16 fëmijë dhe tre mësues arritën të shpëtonin, por 22 nxënës dhe tre mësues mbeten të zhdukur.
Hetuesit kanë raportuar se autobusi është shkatërruar plotësisht nga zjarri, dhe për shkak të intensitetit të vapës, ata ende nuk kanë mundur të hyjnë në mjet për të nxjerrë të gjithë trupat. Autobusi funksiononte me gaz natyror të kompresuar, një lloj karburanti që është veçanërisht i rrezikshëm në raste aksidentesh, sipas ministrit të transportit të Tajlandës, Suriyahe Juangroongruangkit.
Kryeministrja e Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, ka shprehur ngushëllime të thella për familjet e viktimave dhe ka premtuar mbulim të plotë të shpenzimeve mjekësore dhe kompensim për të vrarët. Aksidenti ndodhi kur një gomë e autobusit shpërtheu, duke e bërë atë të përplasej me një pengesë dhe më pas të merrte flakë.
Ky incident tragjik thekson një tjetër aspekt të problematikës së sigurisë rrugore në Tajlandë, e cila ka një prej rekordeve më të këqija të aksidenteve automobilistike në botë. Automjetet e pasigurta dhe menaxhimi i dobët i trafikut kontribuojnë në një numër të lartë vjetor të vdekjeve në rrugë në vend./UBTnews/