UBT News

Me një klikim, 1.5 miliard dollarë në duart e hakerëve

Hakerët, të cilët mendohet se punojnë për regjimin e Koresë së Veriut, kanë realizuar një grabitje masive, duke arkëtuar me sukses të paktën 300 milionë dollarë nga një vjedhje rekord prej 1.5 miliard dollarësh të kriptovalutave. Sipas mediave të huaja, kriminelët, të njohur si Lazarus Group, arritën të “përvjedhin” këtë shumë të madhe të tokenëve digjitalë në një veprim në shkëmbimin e kriptomonedhave ByBit, dy javë më parë.

Pas kësaj grabitjeje, ka nisur një “lojë e vazhdueshme” për të gjurmuar dhe bllokuar hakerët nga konvertimi i suksesshëm i kriptovalutave në para të përdorshme. Ekspertët e sigurisë nënvizohet se Lazarus Group po punon pa pushim, 24 orë në ditë, duke përdorur teknika të sofistikuara për të fshehur gjurmët e parave të vjedhura, duke mundësuar që ato të përdoren për zhvillimin ushtarak të regjimit të Koresë së Veriut.

Dr. Tom Robinson, bashkëthemelues i hetuesve të kriptovalutave Elliptic, thotë se Lazarus Group është jashtëzakonisht i avancuar në pastrimin e kriptovalutave. “Ata kanë shumë njerëz që punojnë me mjete automatike dhe kanë vite përvojë. Mund të shohim nga aktiviteti i tyre se ata janë duke punuar pa ndërprerje dhe mund të bëjnë vetëm disa orë pushim çdo ditë.”

Analiza nga Elliptic përputhet me informacionet nga ByBit, i cili ka konfirmuar se 20% e fondeve të vjedhura tani janë “errësuar”, që do të thotë se ka shumë pak mundësi që ato të rikuperohen. Kjo tregon për nivelin e lartë të sofistikimit të operacioneve të Lazarus Group, që janë të aftë të fshijnë çdo gjurmë të aktivitetit të tyre dhe të mbrojnë fondet nga ndjekjet.

Më 21 shkurt, Lazarus Group hakuan një nga furnizuesit e ByBit dhe ndryshuan fshehurazi adresën e portofolit digjital në të cilën po dërgoheshin 401,000 monedha kriptomonedha Ethereum. ByBit, në atë kohë, mendoi se po transferonte fondet në portofolin e vet dixhital, por ato përfunduan në duar të hakerëve. Megjithatë, CEO i ByBit, Ben Zhou, siguroi klientët se asnjë nga fondet e tyre nuk ishte marrë.

Për të luftuar këtë krim të sofistikuar, ByBit ka lancuar programin Lazarus Bounty, që inkurajon anëtarët e publikut të ndihmojnë në gjurmimin e fondeve të vjedhura dhe t’i ngrijnë ato aty ku është e mundur. Ky program synon të ngadalësojë përpjekjet e Lazarus Group për të pastruar paratë e vjedhura dhe për të ndihmuar autoritetet në rikuperimin e fondeve.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë akuzuar Koreen e Veriut për realizimin e dhjetëra hakimeve gjatë viteve të fundit, duke i përdorur të ardhurat e fituara për të financuar zhvillimin ushtarak dhe bërthamor të regjimit të Kim Jong-un. Kjo grabitje e fundit tregon se Lazarus Group mbetet një aktor kryesor në fushën e krimit kibernetik dhe një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë globale./UBTNews/

Exit mobile version