Me një organizim madhështor, UBT shënoi ceremoninë e gradimit të studentëve të gjeneratës së njëzetë e një, duke i dhuruar Kosovës profesionistë dhe ekspertë që do të kontribuojnë në fusha të ndryshme të jetës.
Të lumtur dhe të entuziazmuar për arritjen e tyre profesionale, studentët përmbyllën suksesshëm një cikël të rëndësishëm jetësor në drejtimet në nivelin bachelor dhe master të programeve.
I gëzuar dhe krenar për gjithë këtë arritje të tyre, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka përgëzuar secilin student për angazhimin dhe përkushtimin për të kryer një cikël të rëndësishëm të jetës së tyre, siç janë studimet akademike.
“Në UBT, ju keni qenë pjesë e një komuniteti që beson në fuqinë e dijes dhe në rëndësinë e shërbimit ndaj shoqërisë. Ju keni qenë të rrethuar nga njerëz që kanë ndarë me ju përvojat e tyre, që kanë ndihmuar në formësimin e mendimeve tuaja dhe që kanë qenë krah jush në çdo hap të rrugës. Tani, është radha juaj të përdorni atë që keni mësuar për të bërë një ndikim pozitiv në botë. Si ambasadorë të UBT-së, ju keni një përgjegjësi të veçantë për të përfaqësuar vlerat dhe standardet tona kudo që të shkoni”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Ceremonia e gradimit nuk kishte se si të mos konkretizohej ndryshe pa betimin e studentit, të cilin e udhëhoqën, studentet Poema Doli dhe Arbëreshë Fazliu, ndërsa betimin e hipokratit, Rrezjona Reçica, duke bërë kështu që njëzëri studentët të betohen për t’i shërbyer shkencës, edukimit, e vendit, si dhe me vetëdije dhe vullnet të plotë të bëhen pjesë kontribut dhënëse në ndërtimin e shtetit dhe prosperimin e shoqërisë sonë.
Ceremonia u përcoll me disa pika të zgjedhura muzikore nga studentët e Fakultetit Muzikë Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi, Meriton Heta, Diana Mehmetaj, Vjollca Osmani dhe Anjeza Gashi, teksa kulmoi me momentin shumë madhështor dhe më të rëndësishëm për secilin student, por edhe për UBT-në si institucion i arsimit të lartë, për hedhjen e kapelave, si simbol i përfundimit të një periudhe plot përkushtim dhe sakrificë dedikuar dijes dhe avancimit akademik.
Gjenerata e 21-të e UBT-së është tashmë gati për të përballuar sfidat e së ardhmes, të pajisur me dije të thellë, aftësi të pakrahasueshme dhe një vizion të qartë për të ndërtuar një Kosovë më të mirë.