UBT News

Më në fund! WhatsApp vjen edhe në Apple Watch

Pas më shumë se një dekade në botën e smartphone-ve, WhatsApp ka mbërritur zyrtarisht në Apple Watch, duke u dhënë përdoruesve mundësinë të lexojnë, dërgojnë dhe të marrin mesazhe direkt nga kyçja e dorës.

Kjo përditësim i lejon përdoruesit jo vetëm të shkruajnë mesazhe, por edhe të dërgojnë mesazhe zanore thjesht duke folur në orë, një përvojë që ngjan me filmat futuristë si Star Trek apo personazhin Buzz Lightyear.

Ky hap përfaqëson një ndryshim të madh në mënyrën e komunikimit për mbi tre miliard përdorues aktivë të WhatsApp në mbarë botën, duke eliminuar nevojën për të nxjerrë telefonin nga xhepi apo çanta për të lexuar ose dërguar mesazhe.

Çfarë ofron WhatsApp në Apple Watch?

Njoftime për mesazhe dhe thirrje hyrëse

Dërgim dhe marrje të mesazheve tekst dhe zanore

Reagime me emoji në biseda

Shikim të imazheve dhe sticker-ave me cilësi të lartë

Siguri të plotë falë kriptimit fund-për-fund, që garanton privatësinë e komunikimit

Sipas një përfaqësuesi të kompanisë, aplikacioni po shpërndahet në të gjitha vendet ku mbështeten WhatsApp dhe iPhone, duke u instaluar automatikisht nëse Apple Watch dhe telefoni janë të sinkronizuar e kanë aktivizuar shkarkimet automatike. Për ata që nuk e marrin automatikisht, aplikacioni mund të instalohet manualisht përmes aplikacionit Watch në iPhone.

Ekspertët: Një lëvizje e zgjuar nga Meta

Konsulentja për mediat sociale Rhea Freeman e ka quajtur këtë integrim “një lëvizje shumë të zgjuar nga Meta”. Ajo shtoi:

“Njerëzit duan të jenë gjithmonë të lidhur. Nëse kjo është gjithmonë e mirë apo jo, është çështje tjetër – por padyshim është më praktike dhe më e sigurt për t’iu përgjigjur mesazheve nga ora, veçanërisht gjatë udhëtimeve apo në transport publik.”

Nga një aplikacion i thjeshtë te një platformë globale

WhatsApp u lansua më 2009, dhe në vitin 2014 u ble nga kompania e Mark Zuckerberg, atëherë Facebook Inc., për 21.8 miliardë dollarë.

Fillimisht, shërbimi kishte abonim modest 0.99 dollarësh në vit, por që nga viti 2016 përdorimi u bë falas, duke rritur ndjeshëm bazën e përdoruesve. Në vitet që pasuan, aplikacioni evoluoi duke lejuar përdorimin në kompjuterë pa lidhje direkte me telefonin dhe më pas përdorimin e një llogarie në disa pajisje njëkohësisht.

Që nga 27 maji i këtij viti, WhatsApp është i disponueshëm edhe në iPad, duke zgjeruar ekosistemin e komunikimit. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version