Pas takimit me Këshillin Grevist të BSPK-së, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se projektligji për pagat do të dalë në dëgjim publik këtë javë.
Ai tha se në takimin e sotëm, Këshilli Grevist u ka premtuar që do të pyes anëtarësinë në lidhje me ofertën e qeverisë.
“Posa dolën nga takimi deklaruan për media që greva vazhdon. Kur e pyetën anëtarësinë? Neve na u tha në takim që do ta pyesin anëtarësinë. Dhe oferta shtesë ishte kjo: do të jenë pjesë përmbajtësore e diskutimeve publike për ligjin mbi pagat. Dhe ne atyre u dhamë lajmin të parët se këtë javë do të fillojë diskutimi publik. Nuk e di çfarë anëtarësie është ajo që reduktohet në një telefonatë, nuk kam si të kuptoj ndryshe. Dhe ata me mua janë sjellë thuajse buxheti i Kosovës është para e imja. Më thoshin ‘na ndihmo si vëlla’, si vëlla të ndihmoj privatisht. Por ka kaluar koha kur kryeministri të ndihmon si vëlla”, tha ai.
Kurti tha se deri më tani ka treguar gatishmëri për të zgjidhur situatën, ndërsa theksoi se nuk është e vërtetë që nuk ka pasur komunikim.
“Në takim është thënë ‘kryeministër lëviz’. Mirëpo unë kam lëvizur të paktën 10 herë vetëm në drejtim të kërkesave të nevojave të sindikatave dhe punëtorëve të arsimit. Andaj pikërtisht për këtë arsye edhe një herë kërkojë që nxënësit të shkojnë në shkolla e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Nuk bën bojkot e grevë shtetit. Sepse shkolla është shteti. Nuk është e vërtetë që nuk ka pasur komunikim, nuk është e vërtetë që nuk ka pasur dialog. Më së miri kjo gjë u pa sot. Problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut. Në takim disa herë mu tha që le të dalim prej kësaj situate edhe ju edhe ne. Unë besoj që në situatë të vështirë nuk është as SBAShK as qeveria, por arsimi. Dhe unë jam këtu që ta ndihmojë arsimin. Nuk mund të zhvillohet dialogu social me preokupim prioritar për përfaqësuesit e organizatave të cilët e zhvillojnë dialogun social”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se greva ka nisur tetë ditë pas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës se Ligji për paga është proceduar për konsultime paraprake.
“Gjithsejt janë zhvilluar 30 takime, së paku 30 takime ndërmjet qeverisë dhe sindikatave. Sindikatat e filluar grevën me 25 gusht, tetë ditë pas njoftimit të MPB se ligji për paga është proceduar për konsultime paraprake. Projektligji për Pagat në sektorin publik do të dalë në dëgjim publik këtë javë. I kemi marrë për bazë të gjitha kërkesat e tyre. Në këtë projektligj mësimdhënësit do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë. Do të eliminojë pabarazitë e shumta për psikologët, sekretarët e pedagogët”, ka thënë ai.